Drejtësia vdiq me fundin e parakohshëm të Millosheviqit

Pak para Vitit të Ri, libri i Nevenka Tromp, “Ndjekja penale e Sllobodan Millosheviçit: gjyqi i pambaruar”, u përkthye në shqip. Libri del vetëm pak javë para 22-vjetorit të masakrës së Reçakut, një vrasje masive e 45 civilëve shqiptarë nga policia serbe dhe nga ushtria jugosllave, e udhëhequr nga Goran Radosavleviç.

Masakra e Reçakut u gjykua si një krim lufte dhe krim kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime për ish-Jugosllavinë (ICTY), në Hagë, vetëm në gjyqin e Millosheviçit dhe u hoq nga gjykimet e Milutonoviç dhe Gjorgjeviq. Radosavleviçi është anëtar i Partisë Progresive Serbe të Aleksandër Vuçiqit-presidenti aktual i Serbisë, dhe ai kurrë nuk u paraqit para asnjë prokurori dhe, aq më pak, të gjykohet për krimet kundër njerëzimit që i bëri në Kosovë.

Në librin e saj, Nevenka Tromp sjell një përmbledhje dhe analizë të shkëlqyeshme të punës së bërë nga prokurorët, nga hetuesit dhe nga studiuesit e ICTY-së në rastin Millosheviç, e cila paraqiti krimet e tij kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kroaci, në Bosnjë, në Kosovë dhe kundër kundërshtarëve të tij politikë në Serbi. Nevenka sjell në vëmendjen e lexuesit udhëheqësin, ideologjinë dhe planin që solli kaq shumë dhimbje dhe shkatërrim në Kroaci, në Bosnjë, në Kosovë dhe në Serbi.

Por, mbi të gjitha, ky libër tregon fatalitetin e vdekjes së një individi dhe mungesën e një vendimi kundër tij, një vendim që do të kishte peshë dhe ndikim të paimagjinueshëm në histori dhe në marrëdhëniet politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Por, deri më tash, shumë pak e kanë kuptuar se sa e dëmshme ka qenë vdekja e Millosheviçit për viktimat, për historinë dhe për rrjedhën e zhvillimeve në rajon. Me dështimin për të dënuar Millosheviçin, dështoi edhe fryma e drejtësisë, bashkë me të filloi edhe një valë glorifikimi i kriminelëve të luftës, një revizionizëm në rajon dhe kthimi i atyre që i shërbyen atij me besnikëri në Beograd. Nuk kishte fund të historisë në Ballkanin Perëndimor.

Me vdekjen e Millosheviçit dhe mungesën e një vendimi kundër tij, Serbia nuk kishte pse të përballej me të kaluarën e saj. Një kombinim i një sistemi të ngadaltë e burokratik i drejtësisë ndërkombëtare dhe me papajtueshmërinë e Serbisë bëri që ICTY-ja të mos e thoshte fjalën e saj të fundit; se Serbia, përmes aparatit shtetëror dhe përmes një udhëheqësi, një ideologjie dhe një plani konkret, kreu krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, gjithnjë në përpjekje për të krijuar një Serbi të Madhe, një ideologji që gjen ende mbështetje në Beograd midis elitave politike, ushtarake dhe atyre akademike.

Me vdekjen e Millosheviçit dhe me arrestimin e Ratko Mlladiçit dhe të Radovan Karagjiqit, Bashkimi Evropian ka hequr dorë nga përballja e Serbisë me të kaluarën e saj. Kjo nuk është më një çështje për komunitetin ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor.

Sot, shumë kriminelë lufte dhe shumë mbështetës të Millosheviçit ende shërbejnë në Qeverinë serbe, në ushtri dhe në institucione tjera, vrasësit ecin të lirë pa marrë në pyetje kurrë nga ndonjë prokuror për krimet që kanë bërë në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.

Mënyra se si shpaloset gjyqi i Millosheviçit zbulon shumë përpjekje diplomatike për të zvogëluar rolin “zyrtar” serb në gjenocidin në Bosnje, përfshirë dokumentet kryesore ushtarake dhe shtetërore që u mbajten larg publikut e që do të kishin ndikim në rastin e gjenocidit të Bosnjës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) kundër Serbisë.

Kjo lloj fshehjeje kishte ardhur me dijen e plotë të Kryeprokurores së ICTY-së, Carla Del Ponte, dhe Beogradi u lejua të paraqesë dokumente sekrete me sigurinë se ato nuk do të paraqiten në seanca dëgjimore publike dhe as do të tregohej roli i qartë dhe i pamohueshëm i Beogradit në gjenocidin e Bosnjës. Këto dokumente do të kishin hedhur dritë mbi pyetjet kyçë në ICJ.

Carla del Ponte ndihmoi Serbinë për të shmangur një vendim të ICJ-së që do të fajësonte dhe dëshmonte fajësinë e Serbisë për gjenocid në Bosnjë. Ajo ishte në dijeni të këtij qëllimi pasi zyrtarët serbë ia kishin bërë të qartë ICTY-së se ata dëshironin që dokumentet të fshiheshin ose të hiqeshin për të mos dëmtuar Serbinë në ICJ. Pretendimi i Del Pontes se ajo e bëri këtë për të dënuar Millosheviçin, është i parëndësishëm. Millosheviçi nuk u dënuar për shkak të vdekjes së tij, dhe as Serbia nuk u shpall fajtore për gjenocidin në Bosnjë.

Maskarada të tilla në sistemin ndërkombëtar të drejtësisë gjenden sot në Kosovë. Nëse merren statistika, UNMIK-u-Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dhe EULEX-i-Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, rezulton se misioni i Kombeve të Bashkuara ishte shumë më i përkushtuar në ndjekjen penale të kriminelëve të luftës, deri në vitin 2008, porse nuk ishte në gjendje të vazhdojë me arrestimet për shkak të mungesës së mbështetjes diplomatike dhe të një mandati për krimet që ishin brenda fushës së ICTY-së. Ndryshe nga EULEX-i, UNMIK-u ka dorëzuar qindra dosje të krimeve të luftës dhe 95 % e atyre dosjeve nuk janë përpunuar kurrë në gjykatë nga EULEX-i, edhe pse EULEX-i ka pasur më shumë mënyra për ta detyruar Serbinë të ekstradojë kriminelët e luftës përmes ndikimit të procesit të pranimit në BE.

Me vdekjen e Millosheviçit nuk u arrit drejtësia për Kosovën dhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë.

Ky dështim rehabilitoi elitën që kishte mbështetur Millosheviçin. Dështoi t’i ndihmojë viktimat që të gjejnë drejtësinë, por gjithashtu ndali demokratizimin në Serbi për shkak të elitave politike, ushtarake dhe akademike që kishin mbështetur liderin e tyre dhe ideologjinë e Serbisë së Madhe. Të gjithë këta, bashkë me planin për krimet më mizore kundër njerëzimit, u amnistuan.

Duke mos e dënuar Millosheviçin për të dëshmuar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kroaci, në Bosnjë e në Kosovë, si dhe duke mos e paraqitur Serbinë fajtore për gjenocidin në Bosnjë, filloi epoka e revizionizmit.

Kjo është arsyeja pse sot ka mungesë vullneti nga ana e Bashkimit Evropian për të kushtëzuar rrugën e Serbisë në BE me dënimin e kriminelëve të luftës. Por, kjo është gjithashtu arsyeja pse e njëjta BE insiston që Kosova duhet të ketë një Dhomë të Specializuar që merret me krimet e pretenduara të luftës të kryera nga shqiptarët, duke mbyllur sytë ndaj krimeve të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë të kryera në Kosovë.

Qëllimi është i qartë. Ata synojnë të barazojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi me një gjenocid të kryer përmes një lideri serb, një ideologjie të Serbisë së Madhe dhe të një plani konkret të mizorive masive. Një gjenocid i kryer nga shteti serb synohet të amnistohet. Kjo është arsyeja pse e njëjta Dhomë e Specializuar injoron dhjetëra e dhjetëra krime të luftës dhe situatën e vështirë të gati dy milionë civilëve në Kosovë në të njëjtën periudhë të mandatit të Dhomës së Specializuar.

Faktet e parashtruara nga ICTY-ja gjatë gjykimeve tregojnë se të paktën 1,000 oficerë të ushtrisë dhe të policisë serbe, përfshirë gjeneralë të rangut të lartë, ishin të përfshirë në vrasjet e civilëve në Kosovë gjatë luftës. Asnjë nuk është akuzuar nga gjyqësia ndërkombëtare, aq më pak nga gjykatat serbe. Ndërkaq, edhe ato pak raste të trajtuara në Beograd, lënë shumë për të dëshiruar.

Shumëkush në Kosovë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë mendoi se bota e di se kush duhet të fajësohet dhe kush është përgjegjës për luftërat dhe mizoritë në ish-Jugosllavi, si dhe kush është agresori e kush viktimat. Por, ky ishte një iluzion. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina për më shumë se dhjetë vjet kanë mbetur të vetme duke e thënë të vërtetën.

Serbia ka luftuar në mënyrë që mohimi i krimeve të jetë çështje normale, duke krijuar një kundër-narrativë që krijon një imazh gri të asaj që ndodhi në vitet ’90-ta, nga e cila Serbia paraqitet me një histori të pastër, sepse narracioni i Beogradit thotë se të gjithë janë kriminelë dhe të gjithë janë viktima. Pra, Serbia duket më e pastër sesa që e meriton të jetë dhe sesa është në realitet.

Libri i Nevenka Tromp paraqet një analizë të mirë pse kemi ardhur në pikën kur Serbia ndihet rehat për të kaluarën e saj. Ky libër është një kontribut i rëndësishëm historik për të kuptuar pse qindra mijëra vdiqën gjatë luftërave të viteve ’90-ta dhe, mbi të gjitha, për të kuptuar se kush është fajtori. Libri është arma më e mirë për të luftuar kundër ndryshimit të narracionit, rishkrimit të historisë dhe për të ngritur zërin e viktimave që nuk gjejnë drejtësi.

Nëse qetësimi (appeasement) mbetet një normë, librat, si ky i Nevenka Tromp, mbeten mjete të dobishme për ta luftuar atë.

Shih: https://demokracia.com/drejtesia-vdiq-me-fundin-e-parakohshem-te-millosheviqit/

Comments

Popular Posts