Guvernatori i fundit dhe fati i Hong Kongut

Guvernatorët kolonialë janë një fenomen i zhdukur sot, megjithatë, ata lanë gjurmë të mëdha në historinë botërore që kanë implikime edhe sot. Disa për shkak të fuqisë së tyre, disa për shkak të fuqisë koloniale që ata përfaqësuan, disa të tjerë për shkak të ambicieve dhe idealeve personale.

Prej të gjithë guvernatorëve të botës, ata të Hong Kongut, padyshim, ishin ndër më të veçantët, jo aq shumë për shkak të përgatitjes së tyre profesionale, por për qytetin që e përfaqësonin!

Në vitin 1990 Chris Patten do të ishte përgjegjës për fushatën zgjedhore të Konservatorëve në Britaninë e Madhe, dhe ai shihet gjerësisht si personi që kontribuoi shumë për rizgjedhjen e Konservatorëve në qeveri. Por ai humbi ulësën e tij të Parlamentit që përfaqësonte Bath-in kështu që mbeti jashtë Parlamentit.

John Major i ofroi Chris Patten pozitë e Guvernatorit të Hong Kongut, i fundit. Patten nuk ishte një diplomat që do të dëgjonte Zyrën e Jashtme dhe të Commonwealth-it (FCO) por një politikan që bëri karrierë në Parlament. Ai do të fliste, do të angazhohej me qytetarë dhe politikanë, por më shumë se kjo, ai mund të thërriste Kryeministrin britanik pa kaluar tek FCO-ja.

Sundimi kolonial në Hong Kong do të përfundonte ndryshe nga kolonitë e tjera. Patten nuk do të përgatiste koloninë për pavarësi. Por detyra e tij ishte rikthimi i një qyteti të lirë kinez tek një shtet totalitar kinez. Kjo ishte në mënyrë të pashmangshme një zhvillim i rallë për historinë - kolonia e fundit britanike duhej dorëzuar tek tirania e fundit komuniste.

Çmimi i historisë ishte që Hong Kongut do t’i mohohej e drejta për vetëvendosje.

Në vitin 1984 qeveria britanike nënshkroi Deklaratën e Përbashkët Sino-Britanike me Kinën, duke i premtuar se do të drejtohej pas vitit 1997 në bazë të formulës së udhëheqësit reformator kinez, Deng Xiaoping: "Një vend, dy sisteme".

Duke krijuar planin për Hong Kongun, ideatorët kinezë e kishin në mendje edhe Tajvanin, duke i tejkaluar kështu problemet morale dhe politike në lidhje me Hong Kongun.

Sidoqoftë, "Një vend, dy sisteme" i mundësoi Hong Kongut të vazhdojë me qeverisjen dhe liritë e saj të paprekura dhe me një shkallë të lartë të autonomisë regjionale.

Sipas kushteve të deklaratës së përbashkët - një traktat ndërkombëtar i deponuar në Kombet e Bashkuara dhe që do të zgjaste deri në vitin 2047, Kina komuniste nuk do ta prekte autonominë e Hong Kongut dhe as do ta vinte në dyshim atë.

Ky ishte rezultat i ndryshimit të ekuilibrit të fuqisë midis Britanisë dhe Kinës. Të dyja vendët pranuan që Hong Kongu ishte bërë shumë i vlefshëm për të rrezikuar shkatërrimin e tij.

Prandaj, transferimi paqësor dhe i suksesshëm i sovranitetit mbi Hong Kongung përfaqësoi triumfin e arsyes dhe të sjelljes së përgjegjshme mbi emocionin dhe dogmat ideologjike.

Transferimi i sovranitetit ishte një përfundim i pashmangshëm dhe jetik për qytetarët e Hong Kongut që ky transferim, si i tillë, të kishte sukses.

Guvernatori Patten përfaqësonte qytetarët e Hong Kongut në transferimin e sovranitetit. Ata më parë ishin përjashtuar nga negociatat për të ardhmen e tyre, në përputhje me politikën  kineze, dhe nuk ishin as të përfaqësuar në transferimin e sovranitetit.

Ata u përfaqësuan nga Guvernatori!

Guvernatori i tyre i fundit la efektivisht detyrën pasi “Union Jack” u ul në Shtëpinë e Guvernatorit pasdite, megjithëse transferimi zyrtar i sovranitetit dhe autoriteti i tij nuk ndodhi deri në mesnatë.

Ceremonia e dorëzimit u bë zyrtare nga Princi i Uellsit-trashëgimtar i fronit britanik, dhe nga Presidenti Kinez.

Në këtë ceremoni-në pjesën më formale dhe më të rëndësishme të procedurave, Guvernatori Patten nuk kishte asnjë rol zyrtar për të luajtur.

Rolet e vetme publike që ai i luajti gjatë ditës ishin në ceremonitë britanike lamtumirëse, e jo në ceremoninë e dorëzimit. Në kohën e dorëzimit, ai ishte, për të gjitha qëllimet praktike, thjesht, një anëtar i delegacionit britanik.

Hong Kongu u dorëzua me qytetarët e vet të ulur si spektatorë dhe si ofrues të argëtimit për festimet e ditës.

Kinezët vendas në Hong Kong kishin ndjenja të përziera. Ndërsa, shumë prej tyre ndanin ndjenjat nacionaliste të bashkatdhetarëve të tyre, të tjerët shfaqnin ndjenja emocionale, madje edhe melankolik, për epokën që po mbaronte.

Dorëzimi u trajtua nga dy qeveritë në fjalë si një çështje bilaterale, ndërkaq mediat i kushtuan shumë vëmendje.

Nuk është e qartë nëse një vëmendje e tillë dhe përfaqësimi i nivelit të lartë qeveritar reflektojnë kryesisht një njohje të rëndësisë ekonomike të Hong Kongut ose nënvizojnë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për ruajtjen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe lirisë në Hong Kong.

Kur flamuri i Kinës dhe ai i Hong Kongut u ngritën pasi britanikët kishin transferuar sovranitetin, Hong Kongu u vendos në mënyrë simbolike në vendin e vet.

Me flamurin e Hong Kongut, dukshëm më i vogël dhe i ngritur me gjysmë ritmi më ngadalë sesa flamuri kinez në ceremoni, qytetarëve të Hong Kongut iu tregua qartë se Hong Kongu ishte vendosur në "një shkallë të lartë autonome" nga Kina, por brenda Kinës tani.

Nuk ka dyshim se politika "Një vend, dy sisteme" ishte menduar, para së gjithash, përtej interesave kombëtare të Kinës.

Nga 1 korriku 1997, Perandoria Britanike kishte përfunduar në Hong Kong, por trashëgimia e saj jeton, të paktën për momentin.

Kontributi më i madh i sundimit britanik në këtë drejtim ishte sigurimi i kornizës politike dhe i stabilitetit shoqëror që mundësuan lulëzimin e ekonomisë së Hong Kongut.

Sidoqoftë, ekonomia e gjallë dhe shumë kapitaliste e Hong Kongut në kohën e dorëzimit nuk ishte një eksport nga Britania.

Menaxhimi i ekonomisë së Hong Kongut në vitet ‘80 mund të ketë bërë që të duket si vendi i vetëm ku “Thaçerizmi” u aplikua në formën e vet më të pastër, por sistemi ekonomik i tillë ishte në vend shumë më përpara se Margaret Thatcher të vinte në pushtet në Britani në vitin 1979.

Trashëgimitë e vërteta britanike në Hong Kong duhet të gjenden diku tjetër.

Trashëgimia më e rëndësishme që britanikët e lanë në Hong Kong është një gjyqësor i pavarur dhe sundimi i ligjit.

Më shumë se çdo trashëgimi tjetër britanike, ato nuk janë indigjene ndaj traditës kineze dhe janë thelbësore për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe dinjitetit të individit.

Sistemi gjyqësor në Hong Kong në vitin 1997 ishte, në terma të përgjithshëm, aq i lartë sa edhe në vetë juridiksionet e së drejtës së zakonshme britanike.

Një gjyqësor kompetent, pavarësia e të cilit gëzonte mbrojtje të institucionalizuar, iu dorëzua Kinës.

Sundimi i ligjit është më shumë sesa një ide juridike ose politike anglo-saksone. Është një mënyrë e jetës. Ajo devijon plotësisht nga ligji dhe nga tradita kineze dhe mbetet një koncept i huaj në Kinën komuniste.

Një trashëgimi tjetër e rëndësishme britanike është shërbimi civil politikisht neutral, i cili funksiononte kryesisht si meritokraci.

Në një kuptim të rëndësishëm, edhe forca policore qëndron si një element veçanërisht i rëndësishëm i kësaj trashëgimie britanike. Është një instrument kritik për ruajtjen e stabilitetit shoqëror dhe të rendit në Hong Kong.

Trashëgimia më e rëndësishme britanike të cilën e mbajnë mend qytetarët e Hong Kongut, lidhet me mënyrat sesi guvernatori i fundit britanik i përmbushi përgjegjësitë e veta.

Edhe pse shumica e reformave politike të Guvernatorit Patten u zhbënë pas dorëzimit, ai la një shenjë të pashlyeshme te qytëtarët dhe politikanët e Hong Kongut.

Patten, edhe pse ishte vetëm një guvernator kolonial, vazhdoi të sillej si një politikan në një demokraci parlamentare.

Mënyra sesi ai e trajtoi kohën e pyetjeve të guvernatorit në legjislaturë, anëtarët e Këshillit Legjislativ, mediat dhe publiku i gjerë u dha njerëzve të Hong Kongut përvojë të dorës së parë se si sillen në të vërtetë politikanët e zgjedhur në një demokraci.

Ai u dha qytëtarëve në Hong Kong një shije, megjithëse të kufizuar, të asaj që ishte politika në një demokraci me një politikan të nivelit të lartë në politikë.

Në fund të fundit, qëndrueshmëria e trashëgimisë britanike varet nga fakti nëse ato vlera janë bërë pjesë e strukturës së shoqërisë dhe e politikës së Hong Kongut.

Sot, Kina po kërcënon arritjet e trashëgimisë britanike në Hong Kong: pavarësinë e gjyqësorit, funksionimin e një shërbimi civil profesional, të një force policore të pavarur dhe apolitike dhe mënyra e të jetuarit si një bashkësi e lirë dhe demokratike.

Këto janë shtyllat që mbesin nga sundimi kolonial britanik në Hong Kong dhe e bëjnë atë të ndryshojë nga Kina komuniste.

Duke e urdhëruar d Kongresin Kombëtar Popullor, Parlamentin de-fakto të Kinës, të hartojë një ligj të ri të rreptë të sigurisë për Hong Kongun, Presidenti Xi Jinping ka bërë goditjen e tij më të rëndë kundër qytetit, duke përmbysur në mënyrë efektive parimin "Një vend, dy sisteme", që ka mbizotëruar qëkur territori u kthye nen sovranitetin kinez në vitin 1997.

Trashëgimia e fundit e Chris Patten do të jetë sfida më e vështirë për Kinën komuniste. Qytetarët e Hong Kongut po i rezistojnë idesë totalitare.

Studentët dhe ata që besuan ende në Hong Kongun dhe në formulën “Një vend, dy sisteme”, dolën në rrugë. Demokracia në rrugë ishte sfida për ambiciet e Pekinit.

Lëvizja protestuese e Hong Kongut mbështetet nga 59 për qind e banorëve të qytetit të anketuar në një studim të realizuar për Reuters në Hong Kong.

 Por, Kina tashmë është shumë e madhe, shumë e suksesshme dhe shumë e rëndësishme për t’u injoruar.

Hong Kongu është më shumë sesa një lojë pushteti e Xi Jinping.

Është një fillim dhe një fund i një historie!

Bëhet fjalë për shpërndarjen e fuqisë globale!

Rezultati i betejës për demokraci në Hong Kong është i rëndësishëm jo vetëm për qytetarët e qytetit dhe sovranët e tyre të tanishëm dhe të mëparshëm, por edhe për sa i përket rolit ndërkombëtar të Kinës në shekullin e ardhshëm. Për ambiciet dhe qëllimet e saj!

Më shumë se kjo, për ideologjinë dhe format e politikës që ajo ndjek.


Comments

Popular Posts